Sheshi "Skënderbej"

Sheshi "Skënderbej"

Sheshi “Skënderbej”, Tiranë

Elementët kryesorë të këtij projekti, janë gjelbërimi, gurët natyralë, uji që do të përdoret për shatërvanet dhe vaditjen e pjesëve të gjelbëruara si dhe ndriçimi për godinat rreth e qark sheshit dhe për vetë sheshin. Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit, të trashësi 10-12 cm, që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. Me këto gurë do të shtrohen rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare.

Për sa i përket gjelbërimit, projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Aty do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh. Një risi tjetër për vendin tonë e këtij projekti është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Në këtë projekt do të ketë rreth 2100 m3 rezervuarë për të mbajtur këtë ujë. Ndriçimi i godinave publike, që rrethojnë këtë shesh do të bëhet me sistem panelesh diellore dhe me ndriçues të lehtë.
Nisur nga madhësia e këtij projekti dhe e lidhur kjo me grafikun e punimeve dhe planifikimin e tij, është menduar që të angazhohen rreth 950 punëtorë dhe specialistë të ndryshëm.